Ngjela: Kartat, PD vodhi 230 mije vota
Partia Demokratike ka shtuar minimalisht 230000 vota në zgjedhjet e fundit parlamentare si pasojë e manipulimeve që ka kryer me anë të kartave të identitetit. Këtë akuzë ndaj mazhorancës e artikuloi dje në një intervistë për “Shqip” kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Sipas tij, akuzat e opozitës për falsifikim kartash janë të vërteta. Ngjela thekson gjithashtu se me këto probleme të mëdha që ka sjellë mazhoranca aktuale në vend, integrimi mbetet një objektiv i largët.
Zoti Ngjela, si i gjykoni akuzat e socialistëve se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë përdorur edhe karta identiteti të falsifikuara për të arritur manipulimin e rezultatit?
Duhet të theksojmë që në fillim se këto nuk janë akuza, por të vërteta që vijnë e formohen nga të gjitha burimet. Unë kam qenë i pari që kam paralajmëruar për manipulimin e zgjedhjeve me anë të kartave. Dhe çështja ka qenë e qartë për këdo që di të mendojë qartë. Vetëm një naiv nuk e kuptonte që Saliu po e sorollaste çështjen e kartave të identitetit pikërisht se do të manipulonte me to. Kjo është një gjë e turpshme dhe është dëmi më i madh që i është bërë shoqërisë shqiptare, por kur është fjala për Sali Berishën, një demon tani i gjendjes shqiptare, kjo është si gjithë të tjerat, si të gjitha bëmat e liga që i ka shkaktuar këtij vendi. Kurrë Sali Berisha nuk mund të fitojë zgjedhjet në Shqipëri, sepse ai ka një urrejtje të madhe popullore. Nga zgjedhjet e fundit ai nuk ka marrë as 40 deputetë, për këtë ju garantoj. Me kartat e identitetit ka hedhur në Tiranë rreth 150000 vota emigrantësh apo dhe të vdekurish, sepse kanë votuar lloj-lloj emrash dhe do ta konstatoni sapo të nisë hetimi. Po kështu, me karta të falsifikuara dhe me emra emigrantësh e të vdekurish madje edhe me emra fiktivë, Partia Demokratike me anë të njerëzve të saj ka hedhur: në Durrës rreth 30000 vota, në Elbasan mbi 20000 vota dhe në Korçë ka hedhur rreth 30000 vota. Këto janë të sigurta, por kështu ka bërë edhe në Fier, në Shkodër, në Berat dhe ku ka mundur. Kjo është tabloja e gjendjes së manipulimit dhe nëse do të hetohet kjo çështje keni për të parë sesi do të shkojnë ngjarjet. Le të sjellim në kujtesë tmerrin që kaloi Saliu kur në dhjetorin e vitit 2006 u tkurr në marrëzi kur nuk po lejohej nga socialistët të përdorë certifikatat pa fotografi, me të cilat donte të manipulonte zgjedhjet për pushtetin vendor. Ja pra, këtë bëri këtë radhë me kartat, atë që donte të bënte në 2006-n me certifikatat. Ai është i paturpshëm, duhet shkallmuar, se në të kundërt kurrë nuk do të kemi liri, demokraci apo mirëqenie në këtë vend. Ai i bën të gjitha.
Mazhoranca i ka konsideruar këto akuza si të pabaza dhe ka theksuar se ky është një plan i opozitës për të penguar lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë këndvështrim dhe sa mendoni se ndikojnë këto akuza në procesin e liberalizimit të vizave?
Akoma i dëgjoni këta barbarë që flasin vetëm gënjeshtra dhe vetëm vjedhin, grabisin dhe mbrojnë Saliun në çdo banditizëm të tij. E ç’hyjnë vizat këtu, pse nuk e dinë shqiptarët se sa të jetë Saliu Kryeministër kurrë nuk do të kenë të ardhme europiane? Kurrë. Këtë e dinë të gjithë sot në Shqipëri. Nuk e patë që Serbia doli para nesh në këtë çështje? Kurrë nuk do të ketë një shtet të institucionalizuar shqiptar me Sali Berishën Kryeministër: ai është fatkeqësi kombëtare dhe ka ardhur koha ta largojmë përfundimisht nga drejtimi politik. Kjo është koha, të shohim se çfarë do të thonë shqiptarët, që e kanë shansin e fundit, në të kundërt këtu do të pllakosë tragjedia. Manipulimi me kartat është evident, duhet vepruar sa më shpejt.
Burimi: Gazeta Shqip



