Eduard Halimi: Nuk do e presim shtatorin
Sekretari i grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi, ka bërë me dije se shumica parlamentare nuk do ta presë shtatorin për të pasur konstituimin e gjykatës në fjalë. “Unë do t’ju garantoj se ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që po ndodh, jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe jemi duke menduar në çdo moment për ta zgjidhur këtë problem të madh, këtë akt të rëndë dhe të paprecedentë që ka ndodhur, ku kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën”, tha Halimi. I bindur në nismën që mazhoranca të zgjidhë ngërçin në Gjykatën Kushtetuese përpara muajit shtator, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, thotë: “Unë do t’ju garantoj se ne kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetues, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyejë Kushtetutën”. Sipas Halimit, Kushtetuta nuk ka asnjë vakum. “Shteti ligjor nuk ka asnjë vakum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithkund. Sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese”, tha Halimi në cilësinë e sekretarit të grupit parlamentar demokrat.
Halimi shton më tej se mazhoranca është e gatshme që në çdo moment të mbledhë Parlamentin, qoftë edhe gjatë gushtit, për të miratuar kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese, e drejtë propozimi e cila i njihet vetëm kreut të shtetit. “PD, grupi parlamentar, ashtu siç ka treguar gjatë gjithë këtij viti një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme në ushtrimin e mandatit të popullit, është e gatshme të tregojë një përgjegjshmëri akoma më të lartë për t’u mbledhur, zhvilluar një seancë për t’i dhënë fund mungesës së kushtetutshmërisë së institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, siç është Gjykata Kushtetuese”, vijoi Halimi.
Burimi: Gazeta Shqip



