Rruga mban emrin “Thoma Filipeu”. Zona është një ndër më të populluarat kohët e fundit. Çdo ditë mbijnë pallate e po ashtu familje që përafrojnë si vend banimi këtë pjesë të kryeqytetit. Ata nuk e dinë se ngjitur me shtëpitë e tyre apo shumë pranë gjendet një rrezik i madh për jetën: Instituti i Fizikës Bërthamore.
Është i rrethuar me një mur që e ka të trashëguar nga komunizmi e në oborr është i mbushur me pemë të larta e të gjelbëruar në çdo periudhë të vitit (po ashtu të mbjella në atë kohë). Në oborr mbizotëron heshtja. Aty gjendet një makinë e bardhë mbi të cilën lexon “radioaktive” dhe shenjën e rrezikut në të. Ajo që të bie në sy, është se oborri është i mbushur me qen, të shtrirë në rrezen e diellit pa kuptuar se në çfarë toke gjenden. Kjo godinë është e pajisur me sistem alarmi të veçantë dhe ruhet me forca policie dhe e gjithë kjo pikërisht se është një ndër godinat në të cilën duhet të kesh kujdes: ka lëndë radioaktive. Një pakujdesi e vogël dhe pasojat mund të jenë katastrofike.
Ajo që na çoi në këtë lagje të Tiranës ishte shqetësimi që mbart kjo godinë në vetvete, shqetësim i cili është shprehur edhe nga vetë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, nga i cili varet edhe ky institut. Ai e ka quajtur atë si “Fukushimën” e kryeqytetit. Në kushte normale aty nuk duhet të ketë banesa në një rreze prej 150 metrash. Kështu është e shkruar edhe në ligj. Po ku është ligji në këtë pikë?
Ballkonet e apartamenteve përreth përkojnë me tarracën e këtij institucioni. Aty gjendet një laborator ku bëhen eksperimente të ndryshme me lëndë radioaktive, por ka edhe depo në të cilat janë të depozituara këto mbetje, të cilat mund të mos përdoren, por ruajnë anën e tyre të rrezikshme radioaktive. Në një bisedë me përgjegjësin e institucionit, Nikolla Civici shpjegon më shumë për këtë godinë, në cilat raste ajo është rrezikshme dhe si është gjendja e saj sot.
Z. Civici, a përbën rrezik për banorët e Tiranës sot pozicioni i godinës së Institutit të Fizikës Bërthamore?
Në kushte normale nuk përbën rrezik. Puna që bëhet brenda institutit, kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e rrezatimit dhe sigurinë që lidhet me burimet radioaktive. Kështu që, në këto kushte, nuk është se instituti paraqet rrezik. Pra, në këto kushte gjendja është normale, vlerat janë të kontrolluar qoftë nga institucione të brendshme, qoftë me ato të jashtme. Shqetësimi që është ngritur më parë edhe nga rektori, ka qenë i lidhur me një situatë hipotetike që mund të ndodhë. Në rast të ndonjë incidenti të rëndë që mund të vijë edhe nga jashtë.
Ne natyrisht kemi mbetje radioaktive, kemi burime radioaktive që janë në punë dhe të tjera që janë të kondicionuara dhe të ruajtura në laboratorët tanë, të cilat në një rast të ndonjë sulmi terrorist apo të ndonjë situate të jashtëzakonshme mund të paraqesin rrezik për zonat përreth.
Ky shqetësim është i lidhur pak edhe me historinë, sepse, sipas një legjislacioni të vjetër, i cili nuk është hedhur poshtë, instituti ka pasur dy rrethime, një rrethim të brendshëm, i cili është ky qe kemi ne tani. Por përveç këtij ka pasur një tjetër rrethim prej 250 metrash, që quhej si zonë sanitare, i cili ishte gjithashtu i kontrolluar. Për atë kohë kjo zonë ishte e kontrolluar.
Gjatë kohës që filluan të bëheshin ndërtime, kjo godinë u harrua që ekzistonte dhe të gjithë banorët filluan ta përdornin tokën për qëllimet e tyre, madje filluan të ndërtonin edhe ngjitur me murin rrethues të godinës.
Pse nuk është normale kjo, sipas jush?
Natyrisht që nuk është normale, pasi kaq dendur sa është ndërtuar këtu, është jashtë kapaciteteve njerëzore. Gjithsesi, kjo gjë ka ndodhur në të gjitha vendet e botës. Kur janë ngritur qendra të tilla, me rreziqe bërthamore e radioaktive, janë ngritur jashtë qytetit. Por me zhvillimin urban këto janë futur brenda dhe janë shkrirë me qytetin.
Në çfarë rastesh kjo qendër përbën rrezik?
Kjo qendër përbën rrezik në rastet e një sulmi terrorist. Megjithëse këtu janë marrë masat, është e rrethuar, ruhet me policë, ne kemi vendosur sistemet e sinjalizimeve dhe të alarmit por, një sulm ajror mund të paraqesë rrezik. Nëse tani këto burime ruhen në kushte konstante sigurie, nëse ndodh që këto kushte sigurie prishen, atëherë natyrisht që kjo godinë përbën rrezikshmëri.
Po zjarri?
Zjarri? Jo se nuk është i rrezikshëm, por është më pak se këto të tjerat.
Jeni ndier ndonjëherë të kërcënuar deri më tani?
Rrezik të kësaj shkalle, jo. Shqetësimi jonë i deritanishëm ka qenë të gjitha këto masa që kemi marrë e kemi instaluar, natyrisht edhe me ndihmën e projekteve të huaja që kanë investuar për ngritjen e sistemeve të sigurisë. Por, kur ndodh që ndërpriten dritat, këto sisteme sigurie nuk funksionojnë. Situata të kësaj natyre kemi hasur dhe në këtë kuptim unë do të thoja që ngritja e vëmendjes për qendrën tonë është e drejtë, pasi tërheqja e vëmendjes për këtë qendër është e drejtë për shkak të natyrës së punës. Do njëfarë kujdesi për t’u ruajtur dhe për të punuar në kushte sigurie.
Keni bërë ndonjë kërkesë për moslejimin e ndërtimeve pranë këtij institucioni?
Këto ndërtimet këtu kanë kohë që janë ndërtuar dhe fillimisht ata që kanë qenë në drejtimin e këtij institucionit para meje, kanë bërë goxha kërkesa për t’i ndaluar këto gjëra, por nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë. Kjo ka qenë situata. Ata që kanë qenë më parë, natyrisht që e kanë ngritur si shqetësim.
Çfarë duhet bërë që kjo qendër të punojë në kushte sigurie?
E para duhet një vëmendje më e madhe nga institucionet për financimin e ekzistencës së qendrës dhe më pas të punës dhe aktiviteteve që kryhen.
Aktualisht, cili është funksioni i kësaj qendre?
Qendra ka një aktivitet të përcaktuar dhe deri më tani është e vetmja qendër në vend që zhvillon aktivitete kërkimi, edukimi dhe shërbimi në fushat që lidhen me fizikën bërthamore dhe fizikën atomike. Fillimisht qendra ka lindur si një qendër kërkimore, në të cilën është zhvilluar ai që quhet kërkim i implikuar për marrjen dhe futjen dhe aktivitete të ndryshme që zhvillohen në vendin tonë të metodave dhe kërkimeve të fizikës bërthamore.
Gjatë rrugës kanë lindur një sërë shërbimesh në të cilat ne jemi specializuar. Tani për tani jemi të vetmit; po e nis nga kontributi që japim ne për zbatimin e ligjit për mbrojtjen nga rrezatimi. Të gjitha veprimtaritë që përfshijnë burimet radioaktive ose të rrezatimeve jonizuese, kryhen mbi bazën e një ligji që kontrollohet nga komisioni për mbrojtjen e rrezatimeve. Qendra shërben për këtë institucion si asistencë teknike për zbatimin e këtij ligji. Të gjithë punonjësit që përdorin rrezatimet jonizuese duhet të monitorohen për dozën që ata marrin dhe për dozën në rastin e mjekëve i japin pacientëve. Tjetër gjë është se pranë nesh është ngritur depoja e laboratorit dhe përpunimit dhe ruajtjes së mbetjeve radioaktive në të gjithë vendin.
Burimet radioaktive përdoren deri në një moment të caktuar dhe më pas aktiviteti i tyre bie dhe ato bëhen të papërdorshme për qëllimet që janë marrë. Këto burime nuk mund të hidhen, pasi edhe pse nuk bëjnë për atë që janë marrë, vazhdojnë të jenë radioaktive dhe të rrezikshme për publikun, kështu që këto burime ne i mbledhim dhe i ruajmë pranë qendrës sonë
Ku përdoret radioaktiviteti tek ne?
Spitalet për shembull, onkologjia përdor burime radioaktive të fuqishme rrezatimi për trajtimin e pacientëve. Shumë burime radioaktive janë përdorur në industri për procese të ndryshme teknologjike. Burimet radioaktive përdoren dhe për qëllime të dobishme. Një kontribut tjetër që japim ne, sipas ligjit të gjithë punonjësit që përdorin burime radioaktive duhet të jenë të trajnuar për mbrojtjen nga rrezatimi, dhe ky trajnim bëhet nga ne. Po ashtu transporti i burimeve radioaktive gjithashtu i kontrolluar, dhe jemi i vetmi institucion për transportin e tyre.
Përveç kësaj ne kemi ngritur një grup pune pranë doganave për kontrollin e materialeve e mallrave të import-eksportit i cili bëhet prej shumë vitesh në doganat e Tiranës dhe Durrësit.
Po për punonjësit që punojnë në këtë institucion, ka rrezik?
Natyrisht që ka një shkallë më të lartë rreziku sesa të punosh në një zyrë në një tjetër institucion. Edhe kjo punë ka rreziqet e veta. Duhet të trajnohesh se si të punosh.
Kushtet
Dyer me xhama të thyer, korridore të zbrazët dhe një e bardhë në mure që gjithmonë e më shumë venitet. Një institucion që për nga pastërtia duhet të ishte në kushtet e “farmacisë”, por që asgjë nuk të ngjan me të tillë. Nga ajo çka shohim, duket që gjithnjë e më shumë kjo godinë po lihet në harresë, ndryshe nga vitet e komunizmit, që siç e pasqyron edhe vetë infrastruktura, nënkupton se më parë i jepej një rëndësi e madhe. Tashmë duket se gjithçka ka mbetur po në stadin e mbi 20 viteve më parë, pasi që atëherë askush nuk ka vënë më dorë në të.
Dhori Kule në 22.03.2011.
“Pranë kësaj qendre janë ndërtuar ndërtesa banimi në mënyre abuzive duke shkelur edhe ligjet në fuqi. Këtu është për t’u përmendur dhe VKM nr.83 date 27.05.1971 i cili kërkon që në një reze prej150 metrash të mos ketë asnjë ndërtim banimi. Realisht kjo qendër e Fizikës Bërthamore përbën një rrezik shumë të lartë dhe kërkon vëmendje të menjëhershme. Këtë e tregon edhe ineresi i veçantë i Ambasadës Amerikane në lidhje me sigurinë e kësaj qendre. Probleme të theksuara me ndërtimet pa asnjë kriter konstatohen në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku laboratorët janë nxjerrë jashtë përdorimit, pasi dritaret nuk mund të hapen për shkak të ndërtesave që ndodhen pranë. Në këtë fakultet është për t’u përmendur edhe fakti që investimet për këtë fakultet brenda territorit të tij janë pezulluar për shkak të mos dhënies së lejeve të ndërtimit, ndërkohë që përreth ndërtohen pallate shumëkatëshe”.
Flasin banorët
Rreth e rrotull institutit të Fizikës Bërthamore ka pallate shumëkatëshe, dyqane, rrugica. Secila e mbushur plot me njerëz që kalojnë çdo minutë apo që banojnë aty rrotull. Të pyetur lidhur me faktin që janë apo jo në dijeni të rrezikut që mbart të qenët pranë institutit të Fizikës Bërthamore, banorët tregojnë mungesë informacioni. Thonë se nuk e dinë që ky institut mbart në vetvete një rrezik të madh. Ndoshta, nëse do ta dinin, do ta kishin blerë shtëpinë diku tjetër. Por duket se askush nuk i ka njoftuar për një gjë të tillë. Fundja, nëse do të përbënte rrezik, sipas tyre, pallatet nuk do të ishin lejuar të ndërtoheshin. Të paktën logjikisht.
Burimi: Gazeta Shekulli

