Turi promocional i Edi Ramës për librin “Kurbani” është ndalur paraditen e së dielës në qytetin e Sarandës. Rama e ka quajtur atë një “Përpjekje për të shkruar Shqipërinë, siç e shoh dhe si mund të ishte e si mund të bëhet, duke frenuar flamën që po e zhduk atë e që edhe perlat e Bregdetit, bën të bathorizohen”. Sipas tij, plagët preken për t’i parë sa të thella e sa të rrezikshme janë dhe për t’i shëruar. Saranda është një personazh i “Kurbanit”, pasi për të flitet drejtpërdrejt dhe se si qendër e gravitetit fatal të zhvillimit të çmendur. Dhe kjo gjë është nënvizuar nga vetë Rama, në bashkëbisedimin e tij në qytetin bregdetar. Prej këtij pasazhi për Sarandën, kreu i PS-së ka kaluar në diskutim për politikën, e cila nuk mund të shmanget. Ai iu referua nisjes së betejës elektorale, me kandidatin Stefan Çipa. “Ideja e parë e përbashkët, kujtoi ai, ishte të fitonim bashkinë për të fituar Sarandën”. Por këtë e ka quajtur mision të vështirë, pasi, sipas tij, “në Shqipëri dhe Sarandë nuk ka shtet dhe se ka rënë trau kryesor i një çatie të përbashkët që është drejtësia”. E njëjta gjë, u shpreh Edi Rama, vjen në libër edhe duke treguar për atë që ka ndodhur me fshatrat perla të Bregut, të cilat, sipas tij, “po bathorizohen”. “Prandaj nuk i qaset njeri Shqipërisë, pasi kërkojnë atë Shqipëri që është zhdukur”, tha kreu i PS-së. Ai ka sjellë si shembull tipik Qeparoin, Drimadhën e fshatra të tjerë, që tregojnë se po shuhet Shqipëria turistike në mënyrën se si e kishin ndërtuar atë paraardhësit tanë. “Pasuria më e madhe e jona është bukuria, magneti më i fuqishëm është bukuria dhe vetëm duke investuar mbi bukurinë, mund të ndërtojmë Shqipërinë turistike për vitet që vijnë”, vijoi ai. Në përgjigje të pyetjeve të të pranishmëve, Rama shpjegoi se kush është Kurbani, duke thënë se për këtë, ka marrë shkas nga një viktimë përpara bashkisë. Disa konsiderata për Sarandën dhe mundësitë ekonomike të saj si rreth, ai i ka përcjellë edhe në profilin e vet në “Twitter”, të cilin e ka kthyer në një mjet të përditshëm komunikimi. “Gjykatësit në Sarandë mbështesin ndërtimet shkatërruese, duke zmbrapsur kryebashkiakun dhe duke shtyrë Sarandën në humnerën e vetasgjësimit”, shprehet ai në një shqetësim të përbashkët me kryebashkiakun aktual, Stefan Çipa. Me një qasje cilësisht të re është shfaqur kreu i PS-së edhe në lidhjet e supozuara ekonomike me Kosovën, të cilën e integron si referent të një tregu të përbashkët shqiptar. “Në Sarandë, për librin dhe politikën. Paraditja në Xarrë, ku sapo ka mbaruar vjelja e mandarinave. 8 mijë tonë për Shqipërinë e Kosovën!”, shkruan Rama në një qëndrim që thotë diçka më shumë sesa deklarimet zyrtare politike. Por pjesa, si të thuash më origjinale e takimit në Sarandë, ka qenë ajo që ka të bëjë me vlerësimin e dy kundërshtarëve të tij politikë, Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në një konsideratë që mundet fare mirë të shihet si një lloj pasthënie, apo shtojcë spontane e “Kurbanit”, Edi Rama ka komentuar reagimet e tyre për librin e tij. “Saliu është për të ardhur keq se e ka lexuar librin dhe bën sikur nuk e ka lexuar. Ndërsa Ilirin e besoj që nuk e ka lexuar librin. Iliri e ka me librat në përgjithësi dhe do ishte stërmundim t’i kërkoje ta lexonte se ai nuk lexon libra”, deklaroi autori i “Kurbanit”.
Burimi: Gazeta Shqip
Rama: Berisha e ka lexuar librin tim, Meta nuk lexon
12 December 2011 - Politike - 152 shikimeFOTO E DITES

